Sylvester Stallone ka bërë një reagim në rrjetet sociale pas lajmit të rrejshëm për vdekjen e tij duke thënë se “është kthyer nga të vdekurit”.
Gjatë të hënës u rikthyen thashethemet për vdekjen e yllit hollivudian, 18 muaj pasi ishte publikuar për herë të parë lajmi i rrejshëm për vdekjen e tij.
Aktori i njohur i filmave aksion e ka publikuar një video në Instagram, në të cilën shoqërohej me vajzat e tij, Sophia dhe Sistine, dhe njëherësh dëshmoi se është gjallë.
“Po i shikoj vajzat e mia jashtë gjatë një stuhie të lehtë breshëri… Është gjë e bukur të kthehesh nga të vdekurit”, ka shkruar 71-vjeçari në përshkrimin e videos.
“Ju lutem injoroni këto çmenduri… Gjallë e shëndosh dhe i lumtur e i shëndetshëm… Akoma godas!”, ka shkruar në një reagim tjetër.
Në vitin 2016 ishte publikuar një lajm i rrejshëm që pohonte se ylli i filmave aksion ishte gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Los Angeles. Kjo rezultoi një gënjeshtër, ndërsa Stallone është bërë sërish shënjestër e gënjeshtrave të tilla bizare.
Përkundër kësaj, spekulimet përhapen shpejt në mediat sociale dhe shumëkush ka besuar se aktori ka ndërruar jetë, madje media të ndryshme e publikuan si lajm.
Stallone është vetëm njëri prej shumë të famshmëve që janë bërë viktima të lajmeve të këtilla. Kësaj radhe u raportua se ai ka vdekur nga kanceri i prostatës.
Lista e yjeve për të cilët ka pasur lajme të rrejshme se kanë vdekur është shumë e gjatë. Disa prej tyre janë Vin Diesel, Nicolas Cage, Jaden Smith, Jim Carrey, Angelina Jolie e John Cena. /Telegrafi/