Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj është kthyer nga Haga në Kosovë mbrëmë pak para mesnatës.
E me t’u kthyer, Haradinaj ka ftuar Qeverinë në një mbledhje e cila do të mbahet prej orës 14:00.
Haradinaj deklaroi se duhet t’i kthehen punëve si qeveri në dorëheqje pasi nuk guxojnë që të lënë vendin në vakum qeverisës.
“Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakumit qeverisës”, deklaroi Haradinaj.
Megjithëse ka të atillë që mendojnë se mbledhja e qeverisë dhe kryerja e detyrave pas dorëheqjes është jo kushtetuese, Haradinaj ka ftuar që të njëjtit t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes është jo kushtetuese. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj”, përfundoi Haradinaj.