I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd, ku në takim kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.
Siç bëhet e ditur nga presidenca e Serbisë, Escobar dhe Vuçiq, kanë biseduar për “ngjarjet aktuale në kuadër të procesit për normalizim të marrëdhënieve me Prishtinën, mundësinë e vazhdimit të dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme.
Escobar gjatë takimit ka shprehur pritjet që dialogu të vazhdojë me dinamikë dhe konstruktivitet mes Kosovës dhe Serbisë “rreth çështjeve të hapura dhe normalizimin e marrëdhënieve”.
Këto çështje sipas tij janë të rëndësishme për qytetarë dhe për paqen në përgjithësi, stabilitetin dhe përparimin e rajonit.
Ndryshe Escobar gjatë ditës së djeshme ka qëndruar edhe në Kosovë, ku është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti me të cilët diskutuan për dialogun.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar në një deklaratë për media tha se Kosova e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot ka zhvilluar një takim me të dërguarin Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ku tha se Kosova si palë konstruktive në procesin e dialogut me Serbinë është e gatshme për intensifikimin e dialogut. /Telegrafi/