Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri ka bërë të ditur se do të dhurojnë pesë mijë euro për fondin e shtetit, për tejkalimin e situatës me coronavirus.
Tahiri ka pohuar se përkrahë iniciativën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, transmeton Telegrafi.
“Ne i dhurojmë 5000 € për fondin e shtetit dhe e përkrahim iniciativën e kryeministrit Albin Kurti. Në humanizëm më ka ngritur populli, jo politikanët apo politika. Sa i përket ndihmës së shtetit sipas kërkesës së kryeministrit Kurti, që diaspora ta ndihmojë Kosovën me donacione gjatë kësaj kohe sikurse ka ndihmuar shumë herë. Ne e përkrahim Kurtin që ka ndërmarrë këtë iniciativë dhe do t’i dhurojmë 5000 € për fondin e shtetit tim-tonë për këtë sfidë kombëtare. I nderuar kryeministër, sot ose nesër i hedhim paratë tona si fondacion Labinot Tahiri”, ka njoftuar ai.
Ndryshe, Kurti të dielën ka kërkuar ndihmën e mërgatës për tejkalimin e situatës me COVID-19.
Ai përmes një video-mesazhi iu ka kërkuar që t’i qëndrojnë vendit pranë.
Kurti ka thënë se “çdoherë kur Kosova ka pasur nevojë, ju keni qenë pranë saj, dashuria juaj për Kosovën nuk pati kushte madje edhe kur nuk ju kanë përfillur duke ua bërë investimin në Kosovë të pamundur apo votimin nga jashtë gati të pamundur. Remitancat tuaja nuk janë ndalur dhe janë shtuar”./Telegrafi/