Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur shpresën se “mendimi praktik” përfundimisht do të mbizotërojë në botën moderne, e cila është duke u bërë “më kaotike”.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Putin ka thënë se “situata aktuale ndërkombëtare është shumë shqetësuese”.
“Gjendja e çështjeve botërore po sjell vetëm shqetësime, situata në botë po bëhet më kaotike”, citohet të ketë thënë Putin të mërkurën, gjatë një ceremonie të pritjes së ambasadorëve në Rusi.
“Megjithatë, ende shpresojmë se ndjenja e shëndoshë do të mbizotërojë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare do të hyjnë në një rrugë konstruktive, i gjithë sistemi botëror do të bëhet më i qëndrueshëm dhe më i parashikueshëm”, ka shtuar ai.
Putin ka theksuar se Moska do të vazhdojë të mbrojë forcimin e sigurisë globale dhe rajonale dhe do t’i përmbahet plotësisht përgjegjësive ndërkombëtare të saj dhe do të zhvillojë bashkëpunimin me partnerët në baza konstruktive dhe respektuese.
“Do të ndjekim një axhendë pozitive dhe të orientuar drejt së ardhmes për botën; dhe të punojnë për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm, prosperitet dhe lulëzim të njerëzimit”.
Deklaratat e Putinit erdhën menjëherë pas një numri kërcënimesh nga homologu i tij i SHBA-ve.
Gjatë ditës së mërkurë Donald Trump paralajmëroi Rusinë të “përgatitet” për “raketat e mira, të reja dhe të zgjuara”, që synonin Sirinë. /Telegrafi/