Pas nënshkrimit të kallëzimit penal paraditen e sotme ndaj kryetarit të KED, Ardian Dvorani, presidenti Ilir Meta është takuar me ish-presidentin Rexhep Meidani.
Përmes një shkrimi të bërë në Facebook, Meta ka thënë se me Rexhep Meidanin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike, transmeton Telegrafi.
“Së bashku me ish-Presidentin, Prof.Rexhep Meidani diskutuam sot për zhvillimet më të fundit në vend dhe rëndësinë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike dhe institucionale”, ka shkruar kreu i shtetit.
Kujtojmë se, kallëzimi penal i presidentit Meta për kryetarin e KED është depozituar sot në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
“Të dashur qytetarë! Sapo nënshkrova kallëzimin penal të premtuar ndaj Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, z.Ardian Dvorani. Si President i Republikës, po i jap një mundësi historike Reformës në Drejtësi, për të treguar integritetin dhe vërtetësinë e saj”, kishte njoftuar Meta për kallëzimin penal./Telegrafi/