Site icon Telegrafi

Pas hulumtimit për shitjen e duhanit dhe alkoolit te fëmijët, Inspektorati i Tregut paralajmëron masa për dyqanet

Inspektorati i Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj subjekteve që iu kanë shitur të miturve cigare dhe alkool.

Ketë e ka konfirmuar Naim Hajra, kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut.

“Inspektorati i Tregut, mbi bazën e provave materiale që janë ofruar në emisionin tuaj do të shqiptoj masat ndëshkimore ndaj këtyre subjekteve ekonomike”, thuhet në përgjigjen e Hajrës.

Kryeinspektori theksoi se këto prova janë të mjaftueshme për shqiptimin e dënimeve meritore.

Ndryshe, më 21 tetor 2023, “Betimi për Drejtësi” transmetoi hulumtimin me titull “Legalizimi” i produkteve 18+ për të mitur”, ku tregohet për konsumimin e duhanit në masë të madhe nga adoleshentët në afërsi të shkollave të mesme.

Në hulumtim, tregohet se ku adoleshentët blejnë cigare dhe kush ua shet atyre. Teksa përmes inskenimeve, vërtetohet se si të miturit arrijnë të blejnë lehtësisht cigare dhe alkool.

Gjithashtu, emisioni trajton edhe efektet negative dhe dëmet që shkakton në shëndetin e fëmijëve pirja e duhanit dhe alkoolit, si dhe ndikimin e pijeve energjike të cilat kanë mbetur ende pa u rregulluar me ligj.

Exit mobile version