Site icon Telegrafi

Pas heqjes së reciprocitetit me Serbinë, 10 kamionë me mallra hyjnë në Kosovë

Pas heqjes së masës së reciprocitetit ndaj Serbisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, deri më tani kanë hyrë 10 kamionë me mallra në vend.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Nga heqja e reciprocitetit, për momentin janë rreth 10 maune që kanë hyrë me procedura doganore në Kosovë nga Serbia”, tha Stavileci.

Qeveria Kosovës në mbledhjen e mbajtur ditën e shtunë, ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Kryeministri Avdullah Hoti në një konferencë për media ka thënë se i kanë hequr të gjitha pengesat me Serbinë, për të rifilluar procesin e dialogut.

Lexo po ashtu Qeveria heq reciprocitetin ndaj Serbisë, Hoti: Presim që edhe pala serbe të heq pengesat

“Dje kemi miratuar programin e qeverisë. Kemi miratuar programin e organizimit të qeverisë në përputhje me besimin e deputetëve të Kuvendit. Kemi hequr pengesat për procesin e dialogut, zotim ky që e kemi dhënë përpara partnerëve tanë. Tani presim që edhe pala serbe të heq pengesat që të filloj dialogu me Serbinë”, kishte thënë Hoti.

Qeveria ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars, të Qeverisë Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.

Lexo po ashtu Reagimet pro dhe kundër vendosjes së reciprocitetit tregtar me Serbinë

Vendimin për heqjen e reciprocitetit tregtar ishte mirëpritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, por që është kundërshtuar nga partitë opozitare në vend.

Kujtojmë se vendimi i autoriteteve të Kosovës për reciprocitet është marrë më 1 prill të këtij viti, duke e zëvendësuar këtë masë me taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, që pati vënë qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.

Nga ajo kohë është pezulluar edhe dialogu i këtyre dy shteteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel nga viti 2011. /Telegrafi/

Exit mobile version