Site icon Telegrafi

Pas heqjes së doganës, rritet interesimi i kosovarëve për vetura të reja

 

Me rënien e normave të interesit dhe heqjen e doganës për veturat e reja, interesimi i kosovarëve për veturat e reja është rritur ndjeshëm.

Dhe ky trend është vërejtur sidomos sot në panairin e parë të veturave të reja, i cili është organizuar nga Shoqata e Importuesve të Automjeteve të Reja (SHIAR) në lagjen Marigona Residence, dhe mbi 25 marka botërore të veturave të reja janë prezantuar para blerësve potencial.

Në panairin e quajtur Auto Expo, më shumë se 20 vetura të reja janë shitur brenda orëve të para, pasiqë shitësit kanë lansuar oferta me zbritje dhe kanë prezantuar modele të reja të veturave me garancion dhe servisim afatgjatë.

Zgjim Mita, i cili është anëtarë i SHIAR-it si dhe përfaqësues i veturave Renault, Nissan dhe Dacia tha se kompania e tij “Auto Mita” në bashkëpunim me SHIAR-in dhe anëtarët e tjerë, kanë organizuar Auto Expo për të ngritur çështjen dhe problemet me veturat e përdorura në vendin tonë, siç janë defektet, konsumimi i madh i derivateve dhe aksidentet që shpesh herë po përfundojnë me fatalitet, njofton KosovaPress.

Sipas Mitës ky është viti i veturave të reja, sepse është hequr dogana, veturat janë liruar me mbi 10 për qind si dhe janë ulur kamatat. Blerjen e veturës Mita e cilëson si partneritet afatgjatë, pasi që mandej pason edhe garancioni dhe servisimi.

Ekspozimi i veturave të reja në Auto Expo është hapur dje, ndërkaq ky panair do të vazhdojë edhe nesër deri në mbrëmje.

Auto Expo është panairi i parë i cili ka mbledhur të gjitha veturat e reja të tregut Kosovar në një vend të vetëm, duke u dhënë mundësi njerëzve t’i krahasojnë modelet, karakteristikat e veturave, mundësitë e pagesës apo garancionet që ofrohen me secilin model.

 

Exit mobile version