Pas koncertit madhështor që mbajti në Prishtinë në muajin qershor, Alban Skenderaj ka paralajmëruar edhe një të tillë.
Këtë herë, këngëtari i shumë hiteve do të performojë në qytetin e tij – Tiranë.
Njoftimin e bëri përmes një postimi të publikuar në llogarinë e tij personale, Instagram, gjersa zbulon detajet e kësaj mbrëmjeje.
“Nën Yjet E Tiranës – Në raste të tilla ndoshta jam gjithmonë paksa euforik por këto janë lajmet dhe postimet që më lumturojnë vërtetë dhe që do të doja të ndaja shumë më shpesh me ju! Koncertet e mia recitale përveç se pasioni im tashmë janë një pikë e fortë dhe një pjesë tepër e rëndësishme e karrierës time artistike, për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Është aty ku unë mundem dhe dua të flas me artin tim në cilësinë dhe lartësinë e tij maksimale! Jam i vetëdijshem që gjatë gjithë këtyre viteve që bëj muzikë, dashamirës nga të gjitha moshat që vërtetë i duan krijimet e mia, presin besnikë e me durim të hekurt nga unë evente të mirëfillta ku mund të përputhen standartet më të mira artistike, profesionale dhe njerëzore”.
“E pra atëherë, mbas magjisë së Prishtinës dhe mbas shumë kërkesave për një “Bis” koncerti im recital i ardhshëm do të mbahet në 27 SHTATOR NË AMFITEATRIN E TIRANËS, i cili për një natë do të shkrihet me qiellin për ti bërë vend muzikës. Kam patur kohë të reflektoj dhe të përgatitem për ta pasuruar këtë koncert me ngjyra të reja artistike duke filluar nga repertori, skenografia, orkestra e deri tek të ftuarit specialë. “Nën Yjet E Tiranes” do të jetë një koncert sa romantik e reflektues aq dhe energjik e shpërthyes. Tirana dhe qielli i saj vërtetë ju perkasin të gjithëve tashme ndaj ky koncert do i dedikohet edhe këtij qyteti që gjithmonë ka ditur të jetë mikpritës e ti mbaj dyert hapur për çdo shqipëtar që ka patur diçka për të dhënë. Shumë shpejt do ju përditësoj rreth detajeve”, ka shkruar mes të tjerash ai.
Ndryshe, “Hapësira e një ëndrre” në Prishtinë mblodhi afro 3.000 fansa, me mbi 20 materiale muzikore të përgatitura nga këngëtari Skenderaj. /Telegrafi/