Boksieri kosovar i kategorisë së rëndë, Arnold Gjergjaj, ka folur për gazetën zvicerane “Blick” për humbjen e rëndë që e pësoi të shtunën mbrëma në Londër nga boksieri i njohur David Haye.
Gjergjaj, që jeton në Zvicër, pësoi me ndërprerje në raundin e dytë në meçin e tij më të madh në karrierë. Ai kishte fituar 29 meçet e mëhershme. Gjergjaj ka thënë se gjatë meçit papritmas i ka parë edhe nga katër Haye, transmeton Koha Ditore.
“Fizikisht jam mirë, jam rikuperuar. Por humbja më bren. Dhemb shumë, por duhet të them që Haye ishte më i fortë dhe e uroj për fitoren”, ka thënë Gjergjaj.
“Herët kam marrë një goditje të fuqishme. Ai më ka goditur fuqishëm dhe më pas nuk isha vetja. Këmbët nuk më mbanin. Isha si në ëndërr, nuk isha plotësisht aty. Nganjëherë shihja edhe tre apo katër Haye, aq keq isha”, ka shtuar boksieri kosovar. Humbja e shpejtë e tij dhe mungesa e rezistencës në ring, bëri bujë për të keq ndër shqiptarë.