Në prag të zgjedhjeve që do të mbahen më 6 tetor, në Kosovë dhe në kohën kur po bëhet thirrje e vazhdueshme për rifillim të dialogut, kanë nisur të shtohen vizitat e zyrtarëve të lartë.
Pas vizitës që do të bëjë sot deputeti i CDU-së, Peter Beyer, në Kosovë gjatë kësaj jave do të qëndrojnë edhe dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnosn.
Murphy, senator demokrat, dhe Johnson, republikan, do të udhëtojnë bashkë me një delegacion të Kongresit që do të vizitojë Rusinë, mirëpo atyre Moska ua ka ndaluar hyrjen.
“Rusia nuk na lejon brenda, por Ron Johnson dhe unë do të vizitojmë Ukrainën, Serbinë dhe Kosovën këtë javë, për të dëshmuar mbështetjen dypartiake për Qeverinë e re të Ukrainës dhe për dialogun e vazhdueshëm midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar në një postim në Twitter senatori Chris Murphy.
Vizita e tyre në Ballkan vjen në kohën kur flitet për përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. /Telegrafi/
Russia wouldn’t let us in, but @RonJohnsonWI and I will be visiting Ukraine, Serbia, and Kosovo this week to demonstrate bipartisan support for the new Ukrainian government and continued dialogue between Belgrade and Pristina. I’m in Berlin today for meetings first.
— Chris Murphy 🟧 (@ChrisMurphyCT) September 2, 2019