Autobusi me targa të Kosovës, niset nga Stacioni i Autobusëve në Beograd. Caku im është Prizreni – një qytet fantastik, një përzierje e Mesdheut, Orientit, islamit e krishterimit.
Arrij herët në mëngjes. Qyteti zgjohet ngadalë. Përgatitjet e mëngjesit për ditë të re. Gjithçka duket bukur: dielli, freskia e mëngjesit, burrat dhe gratë që bëjnë gati lokalet e tyre, restorantet, kafenetë, shitoret, rrojtoret… Emrat e rrugëve, të ndërtesave publike, e madje edhe ftesa për ta festuar Bajrami është në tri gjuhë.
Është e mahnitshme mikpritja dhe toleranca e këtyre njerëzve. Ndërsa, kanë paguar çmim të madh për lirinë e tyre. Kjo i bënë fitues heroikë dhe moralë të luftës së fundit në Evropë. Kolonia e vetme e Serbisë u lirua nga skllavëria.
I vëzhgoj njerëzit. Për herë të parë kam qenë këtu me dënim më 1982, si ushtar i APJ-së (Kosova ishte dënimi ushtarak për të gjithë individët e lirë e të guximshëm). Gjithçka ishte gri. Njerëzit ishin të thyer, e edhe unë. Por, kemi bërë një besëlidhje: ata më pranuan mua e unë ata. Kështu nisa ta dua Kosovën dhe shqiptarët.
Ishim rebelë. I tillë kam mbetur edhe sot. Ndërsa, kosovarët e kanë vazhduar rebelizmin e tyre duke ndërtuar botën e re.
Pas gjashtë viteve, jam sërish në Kosovë. Isha i impresionuar nga përpjekjet e njerëzve të zakonshëm për ta krijuar një shtet të ri, një shoqëri së re. Njerëzit që tani ecin nëpër Prizren janë krenarë, të sigurt, të bukur dhe trima. Nuk ka më asi zymtësie të të nënshtruarve e të dekurajuarve. Ju e keni fituar vetë lirinë tuaj, i keni fituar aleatët, dhe ia keni shtrirë dorën edhe zotërinjve e edhe armiqve.
Nisem për Prishtinë…
Gjithçka është në lëvizje. Ndërtohet e ndërtohet. Rrugët. Disa njerëz mbjellin lakra. Lëvizje e mahnitshme e automjeteve në trafik. Theranda. Lypjani. Renditen vendbanimet. Gjithkund diçka ndërtohet. Çagllavica. Atje madje ndërtohet edhe kisha ortodokse. Kosova zbaton zhvillim të ekuilibruar, që është një nga kushtet për anëtarësim në BE.
Hyrja në Prishtinë…
Jam i hutuar. Nuk është më ajo Prishtina e vitit 1972, e as ajo e vitit 2006. Bredhi nëpër qytet. Rruga “Nëna Tereze“ nuk është ashtu siç ishte. Nuk ka më hotel “Bozhur”. Gjithçka duket si një qytet nga një film i fantastikës shkencore.
Atmosferë me nge e relaksuese verore. Ashtu punuese, e të njëjtën kohë qetësisht çliruese. Restorante dhe kafene të mbushura. Rrugët me plotë njerëz të lumtur, të hareshëm, krenarë. Pihet kafja, uji mineral, lëngjet, dikush ha diçka. Askush nuk konsumon pije alkoolike. Brezi i ri evropian po e realizon ëndrrën e vet, në qytetin tepër të bukur dhe simpatik që po lindte.
Shkuarja për Mitrovicë…
Kam qenë ushtar me dënim në një kazerme të madhe. Këtu tani është një kryqëzim trafiku: rruga për në aeroport, Mitrovicë dhe Fushë Kosovë.
Autostrada për Mitrovicë. Çdo gjë duket disi e zymtë, e braktisur. Aty-këtu ndonjë moment i ndritshëm. Vushtrria, Obiliqi dhe më në fund Mitrovica. Qyteti është plot me energji. Njerëzit, muzika, çdo gjë është e bukur dhe interesante. Ka shumë mallra në shitore. Madje edhe në rrugë tregtohet e jetohet. Kënaqësi, ndërtim dhe përparim.
Vend i mrekullueshëm, njerëz të mahnitshëm. E pyeta një zotëri para shitores: “A flisni serbisht, kroatisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht…”? “Flas serbisht”, më tha. “Ku është ajo ura e famshme që e ndanë Mitrovicën”, e pyeta. “Shko përpara dhe lirisht kaloje urën. Mos ke frikë, sepse mirë e flet serbishten”.
E kalova urën. Hyrja ime e parë në këtë territor…
Pamje e pabesueshme. Grumbuj gurësh, zhavorri e betoni në urë. Pastaj një tendë ushtarake. Një tryezë me disa njerëz të humbur që rrinë e pinë. Rrugë e zymtë. Qetësi. Nuk ka njerëz. Flamuj të shqyer e të ndotur në shtylla. Dyqane me mallra nga kohërat tjera. Aromë e sektorëve ushtarakë. Fytyra pa buzëqeshje. Në kafene rrinë njerëzit e pashpresë. Shitorja e perimeve me mallra gati të prishura, me banane e speca të fishkura. “Komercijalna Banka Beograd” (Banka Tregtare e Beogradit), “Dunav Osiguranje” (Danub Sigurimi)…
Po kjo nuk është Kosovë. Atëherë arriti autobusi për Beograd. E ndala me dëshirën që të iki sa më larg.
Rruga deri te kufiri me Serbinë ishte një shok shtesë. E as pas saj nuk ishte gjë më mirë.
Siç ka thënë Shefkia, bashkudhëtarja ime me autobus për në Prizren: Serbia ka plasur.