Telegrafi

Pas fitores së Trump, miliarderët kanë pësuar humbje të mëdha

Njerëzit më të pasur të botës humbën plot 41 miliardë dollarë, si pasojë e votës së amerikanëve për Donald Trump.
Carlos Slim, që është njeriu më i pasur i Meksikës, dhe i pesti më i pasur në glob, pa pasurinë e tij të tkurrej me 9.5% si pasojë e kolapsit të pesos meksikane.

Kjo përkthehet në 5.2 miliardë dollarë. Indeksi i miliarderëve të Bloomberg ra kështu në mënyrë të paprecedentë gjatë së Mërkurës, duke zhbërë kështu një pjesë të fitimeve të javës së kaluar.

Gjatë javës së kaluar, më të pasurit e globit panë pasurinë e tyre të rritej me 57 miliardë dollarë, si pasojë e pritshmërive të tregjeve për një fitore të kandidates demokrate në këto zgjedhje, shkruajn mediat botërore, transmeton Telegrafi.

Dështimi i këtyre pritshmërive shkaktoi kolapsin e aksioneve të Mërkurën, pavarësisht se në një masë më të vogël. 10 miliarderët meksikanë humbën në total 6.5 miliardë dollarë që në orët e para të sesionit tregtar.

Miliarderët amerikanë ndërkohë, që përbëjnë një të tretën e listës së Bloomberg, humbën 9.3 miliardë dollarë. Pasuria e kombinuar e miliarderëve të Botës ra me 0.9%, në 4.4 trilionë dollarë. /Telegrafi/