Edhe pse është dita e 24-të e grevës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK) disa shkolla në qytete të ndryshme të vendit e kanë filluar vitin e ri shkollor.
Në Komunën e Podujevës të gjitha shkollat fillore e kanë nisur pjesërisht mësimin, ndërsa edhe në komunën e Gjakovës tashmë pesë shkolla kanë nisur procesin mësimor.
Në lidhje me këtë Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut në një prononcim për Telegrafin ka thënë se secili mësimdhënës që mendon se duhet të fillojë mësimi është i lirë ta bëj.
Sipas tij, nëse ekziston që ndonjë shkollë e ka filluar procesin mësimor, SBASHK-u do ta bëjë publike këtë gjë.
“Unë po pres që ta vizitoj edhe Këshillin grevistë e do të marr informacione të sakta, pasi mund të ketë tendenca të DKA-së. Ne nuk do ta fshehim. Këshilli grevistë do ta jap raportin final. Nëse ka shkolla që kanë filluar punën, në SBASHK ka demokraci dhe punëtorët e kanë kërkuar grevën, vetëm ata janë që do ta vendosin se çfarë do të bëhet tutje dhe cilido individ që mendon se duhet t’i kthehet mësimit ne nuk kemi asgjë kundër. Ata vendosin, pasi ne e kemi shpall grevën duke u bazuar në kërkesën e tyre”, ka thënë ai.
Jasharaj po ashtu tha se SBASHK-u është në komunikim të përditshëm me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve për të marr raporte të detajuara.
“SBASHK-u është në komunikim të përditshëm me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve për të marr raporte të detajuara nga situata që e kemi në secilën komunë dhe universitete. Dhe ata sjellin informacione që i marrin nga kryetarët e Shoqatave sindikale. Këto takime të përditshme po i mbajmë online”, ka thënë Jasharaj.
Qeveria e Kosovës, të premten publikoi Projektligjin për Paga, për të cilën ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, kishte thënë se “Fatkeqësisht ende asnjë koment për Projektligjin për Paga”.
Ndërsa, Jasharaj i tha Telegrafit se nuk mund të jap ndonjë koment për këtë pasi nuk është i fushës së ekonomisë.
“Jo nuk e kam lexuar, pasi s’jam ekspert i ekonomisë. S’jam ai që jap unë komente për ligjin. Janë ekipet që punojnë dhe janë profesionalist, të cilët do të dalin me një vlerësim që do ta publikojmë”, tha ndër të tjera, Rrahman Jasharaj. /Telegrafi/