Kryesia e Partisë GUXO, dega në Pejë, ka lëshuar një deklaratë pas mbledhjes së mbajtur më 10 dhjetor 2024, duke shprehur shqetësimin për vendimet që lidhen me zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025.
Në njoftim theksohet se, megjithë suksesin e treguar nga dega në Pejë në zgjedhjet e kaluar dhe përfaqësimin e dy asambleistëve të nderuar në Kuvendin Komunal, disa veprime të kryesisë qendrore janë konsideruar si pengesa për zhvillimin e degës.
Në deklaratën e GUXO në Pejë thuhet: “Edhe përkundër një fakti të tillë, duket se organizimi, suksesi, masovizimi dhe konsolidimi i degës mund të kenë penguar oponentët në kryesi, të cilët për fat të keq tani janë shpërfaqur dhe janë evidente.”
Kryesia e degës ka shprehur pakënaqësi lidhur me mënyrën e emërimit të kandidatëve për zgjedhje.
Ata pohojnë se ishte vendim i “Donikës dhe Fatonit” që të përzgjidhnin kandidatët pa u konsultuar me anëtarët e kryesisë të degës, duke shkelur kështu statutin e partisë dhe duke injoruar mendimin e anëtarëve.
Në fund, kryesia e GUXO në Pejë ka njoftuar se nuk do të “marrë pjesë aktivisht në këto zgjedhje nacionale, duke qëndruar në GUXO dhe duke mos e përkrahur listën “Donika – Faton”.
Ky vendim është marrë për shkak të disa arsyeve, duke përfshirë shkeljen e statutit të partisë dhe injorimin e vullnetit të anëtarëve të partisë.
“Andaj ne si pararendës të “Listës Vjosa” bashkëthemelues të Partisë GUXO vendosim të mos marrim pjesë aktivisht në këto zgjedhje nacionale, duke qëndruar në GUXO dhe të mos e përkrahim listën “Donika – Faton” me arsyen se: Pjesëmarrja në zgjedhje pa akronime partiake është në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë! Mos përfillja e propozimeve dhe mohimi arbitrar, autokrat i demokracisë dhe vullnetit të anëtarëve të partisë! Prurjet satelit për ta përfaqësuar degën pa dhënë as më të voglin kontribut dhe jo në të mirën e partisë! nShkelja e Statutit të Partisë konkretisht: Neni 13, pika 2 dhe 3; Neni 15, pika 1 dhe 2; Neni 16, pika 2.5 dhe 2.6; Neni 17, pika 2 dhe Neni 22, pika 3!”, thuhet në njoftim ./Telegrafi/