Site icon Telegrafi

Pas dy ditësh nën rrënoja nxirren dy të mbijetuar nga shembja e ndërtesës në Kenia

Dy të mbijetuar u gjetën pasi një ndërtesë gjashtëkatëshe u shëmb në kryeqytetin e Kenias të premten, thanë autoritetet.

Të mbijetuarit janë gjetur të gjallë dy ditë pasi një ndërtesë gjashtë katëshe u shëmb në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, transmeton Telegrafi.

Autoritetet thanë që shëmbja e ndërtesës të premten vrau të paktën pesë njerëz, plagosi 31 të tjerë dhe la 24 të tjerë të zhdukur.

Kur të dy të mbijetuarit u gjetën të dielën në mëngjes, një turmë e shikuesve u hodh në brohoritje dhe duartrokitje.

Shefi i policisë së Nairobi, Philip Ndolo tha se shpëtimi i një burri dhe një gruaje kishte rritur shpresën për të gjetur të mbijetuar të tjerë.

Ai tha se të dy ishin në gjendje të qëndrueshme dhe tashmë janë në spital.

“Duke pasur parasysh se kemi shpëtuar dy njerëz dy ditë pas incidentit, shpresojmë të gjejmë më shumë të mbijetuar. Mos harroni se ka më shumë se 20 njerëz të zhdukur”, tha ai.

Nuk ishte e qartë se si ndodhi që ndërtesa gjashtëkatëshe të shembej, ndërtesë që ishin të vendosura 22 familje nga Kryqi i Kuq. /Telegrafi/

Exit mobile version