Telegrafi

Pas dy dekadash të fejuar, Luca Toni dhe Marta Cecchetto vendosin të martohen

Luca Toni dhe Marta Cecchetto janë fejuar prej pothuajse 20 vitesh dhe kanë dy fëmijë së bashku, Leonardon dhe Bianca, por hapin e madh nuk e kishin bërë akoma.

Tani për ish-futbollistin italian dhe modelen e njohur ka ardhur momenti i dasmës, transmeton BW. Lajmin e bën të ditur e përjavshmja Chi që ka zbuluar edhe datën e martesës që do të jetë më 9 shtator.

Asgjë nuk dihet akoma për vendin ku do të bëhet ceremonia, edhe pse zërat flasin për në Toscana.

Sigurisht në listën e të ftuarve do të jenë shumë ish-kolegë futbollistë të Tonit, por lista akoma është sekrete.

Luca dhe Marta janë së bashku prej shumë kohësh dhe për martesën e tyre ishte folur edhe më parë.

Në vitin 2012, çifti u përball me një fatkeqësi dhe një moment shumë të vështirë, me humbjen e fëmijës së tyre të parë, i cili lindi i vdekur. Një shok që i detyroi të anulonin dasmën e tyre që e kishin parashikuar në atë vit dhe po në atë kohë Toni u tërhoq për një kohë edhe nga futbolli.

Në vitin 2013 çiftit iu kthye buzëqeshja me ardhjen në jetë të Biancas dhe në vitin 2014 me lindjen e Leonardos.

Tani është pikërisht periudha që i gjen Tonin dhe Ceccheton më të fortë dhe të bashkuar.