Telegrafi

Pas dorëhqjeve në veri, Kocijançiç kërkon tërheqjen e taksës për mallrat serbe

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç, ka reaguar lidhur me dorëheqjen e kryetarëve të katër komunave serbe në veri të Kosovës, duke porositur Qeverinë e Kosovës menjëherë duhet të tërheqë vendimin për ngritjen e taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ajo i ka cilësuar këto masa [taksën për mallrat serbe] si provokuese dhe ofenduese. Kocijançiç, ka thënë se BE është në dijeni të dorëheqjet e sotme.

Siç raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, Kocijançiç ka potencuar se BE-ja që nga fillimi ka qenë shumë e qartë se taksa prej 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina përbën shkelje të CEFTA-s dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Kosovës.

“Autoritetet në Kosovë duhet menjëherë të tërheqin këto masa. Të gjitha veprimet, masat dhe deklaratat që janë të natyrës provokative dhe karakterit fyes janë thellësisht shqetësuese dhe nuk i kontribuojnë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Kocijançiç, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç, vihet në siklet nga pyetjet e gazetarëve kosovarë (Video)

Ajo theksoi se të gjitha ankesat që kanë palët duhet të zgjidhen përmes dialogut të cilin BE-ja do të vazhdojë ta lehtësojë.

Kryetarët e katër komunave serbe në veri të Kosovës dhanë dorëheqje si përgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. /Telegrafi/