Gjermania pret nga Turqia që të vazhdojë të mbështesë marrëveshjen e saj me Bashkimin Evropian për frenimin e emigrantëve, pavarësisht dorëheqjes së kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu, i cili kishte nënshkruar këtë marrëveshje.
Ahmet Davutoglu ka dhënë dorëheqje dje nga pozita e kryeministrit, duke ngritur dyshime lidhur me zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Georg Streiter, ka thënë se kancelarja Angela Merkel ka punuar me kryeministrin turk Davutoglu.
“Ne kemi pasur bashkëpunim të mirë me kryeministrin që dha dorëheqje dhe presim që ky bashkëpunim i mirë dhe konstruktiv të vazhdojë edhe me kryeministrin e ri turk”, tha Streiter.
Pavarësisht kësaj, Streiter, ka bërë të ditur se Gjermania do të vazhdojë të përmbushë angazhimet e saj dhe pret që të njëjtën ta bëjë edhe Turqia.
Sipas tij, kjo marrëveshje vazhdon të mbetet si e tillë në mes të BE –së dhe Turqisë, e jo në mes të individëve.