Protesta në Rrugën e Kombit kundër vendosjes së taksës ka dalë jashtë kontrollit dhe protestuesit pasi u përleshën me forcat e policisë, kanë shkatërruar edhe koncesionarin e ngritur për pagesën e taksës.
Protestuesit janë futur edhe brenda sporteleve dhe kanë shkatërruar edhe kompjuterët.
Protestuesit kanë goditur me gurë punonjësit e policisë, të cilët vendosën një kordon para për të penguar dëmtimin e vendit ku bëhet pagesa. Protestuesit kanë thyer xhamat në sportelet për pagesën e taksës.
Presidenti i Republikes, Ilir Meta ka reaguar sot për situatën në Rrugën e Kombit ku pati incidente mes qytetarëve dhe protestuesve.
Në një reagim për mediat, Presidenti Ilir Meta “shpreh shqetësimin për situatën e krijuar në Rrugën e Kombit dhe keqardhjen për personat e lënduar gjatë protestës së sotme. Ai bën thirrje për evitimin e dhunës për vetëpërmbajtjeje dhe dialog e mirëkuptim me qëllim normalizimin e situatës dhe kthimin e lëvizjes normale të automjeteve dhe qytetarëve në pritje”.