Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka dalë me një sqarim sa i përket rastit të mediumit Klan Kosova.
MINT ka njoftuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, pas verifikimit të të gjithë dokumentacionit në dispozicion për Klan Kosovën Sh.P.K., ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
“Kjo, pasi që Komisioni ka siguruar dokumentacionin aktual nga institucioni përkatës në Maqedoninë e Veriut, për “Pronarët e Vërtetë të Subjektit”, në të cilin dokumentacion ka gjetur se Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë”, thuhet në njoftimin e MINT.
Ministria më tej shton se në bazë të këtij dokumentacioni, Komisioni ka refuzuar ankesën e parashtruar nga pala në procedurë, duke konfirmuar të njëjtën shkelje të Kushtetutës që e ka konstatuar ARBK në shkallën e parë.
“Çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së. Mirëpo, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen kurrë si çështje “teknike””, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe dje mediumi Klan Kosova në një reagim theksoi se kishte rregulluar me kohë dokumentet.
“Duke marrë si shkas mënyrën e arsyetimit të Vendimit të kundërligjshëm të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, nga ana MINT e cila pretendon që Klan Kosova nuk ka bërë ndryshimet në dokumentet përkatëse, edhe njëherë detyrohemi që t’i ofrojmë opinionit sqarime shtesë, meqë të njëjtat nuk janë marrë parasysh nga ana e MINT gjatë shqyrtimit të Ankesës së Klan Kosova dhe për më tepër të njëjtit kanë bërë konstatim të gabuar të gjendjes faktitke”, thuhej në reagimin e Klan Kosovës. /Telegrafi/