Telegrafi

Pas debutimit në Formula 2, Mick Schumacher gati për provën e parë në Formula 1

Mick Schumacher (Foto: Mark Thompson/Getty Images/Guliver)

Mick Schumacher po ndjek gjurmët e babait të tij, Michael Schumacher. Pas debutimit këtë fundjavë në garat e Formula 2 në Bahrejn, ku e mbylli garën i teti, ai po përgatitet për testin e parë në Formula 1 me Ferrarin .

Djali i legjendës së automobilizmit do të testohet të martën në një bolid të Formula 1, pikërisht me ‘kokëkuqen’, ku fama e të atit arriti kulmin.

Mick u shpall kampion në Formula 3 para se të kalonte në Formula 2, e tashmë do të bëjë hapin e tij të madh, në gjurmët e babait të tij legjendar, Michael Schumacher.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Mick Schumacher

Të shumtë janë ata që po presin me padurim të shohin për herë të parë djalin e idhullit të tyre nën njëvendëshen e kuqe – transmeton Top Channel.

“Jam më shumë se i emocionuar dhe do të doja të falënderoja Ferrarin dhe Alfa Romeon për dhënien e kësaj mundësie”, ka deklaruar Mick të premten.