Telegrafi

Pas debatit me gazetaren, Rama mbyll i nervozuar konferencën: Hajde të thuash fjalën e fundit në konferencë (Video)

Kryeministri i Shqipërisë menjëherë pas kthimit nga Samiti i Sofjes ka mbajtur një konferencë me gazetarë ku ka folur rreth këtij samitit. Por në mbyllje të konferencë atij i ka dal punë me një gazetare e cila e ka pyetur rreth ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Rama e ka mbyllur konferencën për media pa pritur.

E gazetarja që i ka drejtuar pyetje kryeministrit Rama ka qenë Ambrozia Meta nga Fax News, e cila ka këmbëngulur në pyetjen e saj për të cilën, Rama i tha se po bënte propagandë.

Debati i plotë mes gazetares dhe kryeministrit Rama nga minuta 16:15:

Edi Rama: Pyet pronarin se dhe ai ka një vëlla që a do të ishte i gatshëm ai pronari juaj që të jepte llogari për vëllain e tij?.

Gazetarja: Unë po ju pyes juve, sepse jeni kryeministër që qeverisini vendin

Edi Rama: Nuk jemi duke bërë debat, ju bëtë pyetjen unë ju jap përgjigje. Dhe përgjigja ime është kjo pyesni pronarin tuaj dhe thuani që a ka ai vetë ndonjë përgjegjësi për vëllain, se janë në një fushë të dy.

Gazetarja: Pronari im nuk ka lidhje me rendin dhe me qeverisjen e vendit kështu që nuk e gjej krahasimin tuaj me vend. Unë ju pyeta pse duhet të jetë kaq e diskutueshme një ministri, pse duhet të kemi gjithmonë ministra që implikohen në këtë çështje, për shkak se është një nga ministritë më të rëndësishme të vendit. Kështu që nuk e gjej krahasimin tuaj me vend për pronarët e televizioneve sepse nuk lidhen me qeverisjen e vendit.

Edi Rama: Kurse unë e gjej pa etikë që ju jeni këtu gazetare për të bërë pyetje dhe merrni mikrofonin për të bërë propagandë.

Gazetarja: Nuk është propagandë, është pyetje referuar zhvillimeve. Kemi një ish ministër në arrest shtëpie për trafik droge, dhe një ministër të Brendshëm që akuzohet se i ka krijuar imunitet të vëllait. Pyetja ime është pse duhet të jenë persona të tillë të implikuar dhe të akuzuar. Nuk është propagandë.

Edi Rama: Unë jam respektues…

Gazetarja: Dhe unë jam respektuese po nuk mund të pranoj që po bëj propagandë se nuk është propagandë po thjesht një pyetje

Rama: Hajde këtu dhe mbaro konferencën e shtypit të thuash fjalën e fundit. Mirupafshim! /Telegrafi/