Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka përshëndetur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ai e ka vlerësuar mënyrën e shpejtë të certifikimit nga ana e KQZ-së dhe ka bërë thirrje që institucionet të formohen sa më shpejt.
“Vlerësoj faktin se Komisioni Qendror Zgjedhor ishte në gjendje të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve në më pak se 1 muaj pas ditës së zgjedhjeve. Pres që institucionet e Kosovës (Parlamenti, Qeveria dhe Presidenti) të themelohen sa më shpejtë dhe të fillojnë punën për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.
Appreciate that @KQZKosova was able to certify election results less than one month after the election day. Expect Kosovo institutions (parliament, government and president) to be established soon and to start working for the benefit of Kosovo people. pic.twitter.com/EecLa1UVpf
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) March 13, 2021
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi të shtunën rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke fituar 50.28 për qind të votave.
Partia e Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit ka fituar 438,335 vota.
Certifikimi i rezultateve pason trajtimin e ankesave të kandidatëve për deputetë dhe subjekte politike nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme.
Pas certifikimit të rezultatit, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Kosovës, në këtë rast, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e dala nga zgjedhjet.
Kjo do të jetë legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse. /Telegrafi/