Telegrafi

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ambasadori britanik kërkon formimin sa më të shpejtë të qeverisë

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka shkruar në Facebook se e gëzon lajmi për rezultatet përfundimtare të kumtuar nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“Jam i gëzuar të shoh se kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, i kumton rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit. Pas shumë vonesave, apeleve dhe rinumërimeve, Kuvendi i sapozgjedhur i Kosovës tani do të duhej të mblidhet shpejtë në mënyrë që të formoj qeverinë e re sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka shkruar ambasadori Abbott.

Kujtojmë që sipas Dakës janë regjistruar 84,1275 fletëvotime të vlefshme, ndërsa 20.897 fletëvotime të pavlefshme.

“Lëvizja Vetëvendosje ka 26.270%, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 24.548%, Partia Demokratike e Kosovës 21.234%, koalicioni AAK-PSD ka 11.515%, Lista serbe 6.402%, koalicioni NISMA-AKR-PD 5.002%”, ka thënë Daka. /Telegrafi/