Lirak Çelaj nuk do të jetë i vetmi zëvendësministër i dorëhequr i PDK-së. Kjo pasi gjatë kësaj jave pritet që edhe Avni Kastrati dhe Hajredin Hyseni ta lënë detyrën, për arsyen e njëjtë që bëri Çelaj.
Pra, ata do të angazhohen që të punojnë në terren, në komunat prej nga vijnë, për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.
Klan Kosova nga burime të saja merr vesh se ashtu si Çelaj la Ministrinë e Drejtësisë, edhe Kastrati do ta dorëzojë detyrën në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa edhe Hyseni do të largohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Pas dorëheqjes, Avni Kastrati merret vesh se do të orientohet në punojë në Mitrovicë ku ka qenë më parë kryetar, kurse Hyseni në qytetin e Podujevës, degë prej nga vjen.
Klan Kosova ka provuar të kontaktojë me këta të dy, për të marrë një konfirmim nga ta, por që kontakti ka qenë i pamundur.
Ashtu si Çelaj që nuk ka konfirmuar nëse do të jetë kandidat i partisë së Kadri Veselit për kryetar të Prishtinës, nuk dihet nëse edhe Kastrati dhe Hyseni do të garojnë për kryetar komunash./Klan Kosova/