Gjiganti teknologjik për prodhimin e aeroplanëve Airbus, përmes një njoftimi ka thënë se nëse largimi i Britanisë së Madhe nga Evropa do të bëhej pa marrëveshje të qartë, do ta detyronte kompaninë të rishqyrtojë qëndrimin e saj afatgjatë dhe të rrezikojë mijëra vende pune në këtë vend.
Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar ministri britanik i Shëndetësisë, Jeremy Hunt, i cili i quajti këto deklarata si të papranueshme dhe kërkoi mbështetje për Theresa May, që BREXIT të jetë sa më i mirë, përcjell Telegrafi.
“Është krejtësisht e papërshtatshme që bizneset bëjnë këto kërcënime me vende pune, aq më tepër në këto momente. Ne duhet të jemi të gjithë në krah të Theresa May, në negociatat e saj për BREXIT-in, me qëllim që ky proces të jetë sa më i mirë për britanikët”, deklaroi Hunt.
Ai pranoi se nëse nuk mbështetet maksimalisht Kryeministrja May, BREXIT rrezikon të shndërrohet në një gënjeshtër për të gjithë. /Telegrafi/