Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë del sot në seancën e parë publike pas bllokimit disa vjeçar.
Shtatë gjyqtarët e Kushtetueses do të shqyrtojnë një padi të lidhur me Procedurën e Kodit Penal dhe rishikimet e vendimeve për gjykimet në mungesë.
Kushtetuesja është vënë në lëvizje për këtë çështje nga disa gjyqtarë të gjykatës së Tiranës.
Seanca po zhvillohet pa praninë e palëve vetëm mbi bazë dokumentesh.
Në padi kërkohet shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “nga Gjykata e Shkallës së Parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit “…i së njëjtës gjykatë”, parashikuar në pikën 3.
Në muajin shkurt, Kushtetuesja pritet të shqyrtojë gjashtë çështje të tjera. /Euronews.al/