Pas Repartit Ushtarak 1001, Regjimentit të Helikopterëve në Farkë dhe bazave në Bizë e Pashaliman, Shqipëria planifikon të investojë edhe në repartin e Pocestës të Korçës.
Instituti Gjeografik Ushtarak ka hapur tenderin me vlerë pak më shumë se 4 milionë lekë vetëm për projektin e rindërtimit të rrugëve lidhëse dhe rrjetit inxhinier.
Sipas dokumentit të depozituar në Agjencinë e Prokurimit Publik, në repartin me sipërfaqe 15 mijë e 248 metër katrorë do të stacionohen helikopterë dhe mjete të tjera ushtarake.
Aktualisht, thuhet në dokumentacionin që shoqëron procedurën tenderuese si rrugët lidhëse, ashtu edhe rrjeti elektrik janë të amortizuar duke vështirësuar veprimtarinë e përditshme të Batalionit të Tretë Këmbësor.
Instituti Gjeografik Ushtarak ka vendosur 2 prillin si afatin e fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë e interesuara.
Më herët, procedura të ngjashme tenderuese u hapën edhe për punimet në garnizonin stërvitor, Pajet-Bizë. Pak kilometra larg Bizës, në Farkë të Tiranës planifikohet të rinovohet baza ajrore. Gjithashtu, në Farkë do të ndërtohen rrugët lidhëse, kuadratet e kufizuese për uljen dhe ngritjen e mjeteve ajrore dhe sistemet e ndriçimit.
Në përpjekje për t’iu afruar standardeve të NATO-s, gati 5 milionë lekë u vunë në dispozicion për projektimin e një godine 3-katshe për akomodimin e Komandës dhe Shtabit të Forcës Tokësore në repartin 1001./A2 CNN