Telegrafi

Pas Biden, edhe sekretari Blinken i kërkon Serbisë të njoh shtetin e Kosovës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një deklaratë të lëshuar lidhur me rastin e ditës nacionale të Serbisë, ka kërkuar që ky shtet ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Në deklaratën e Blinken mes tjerash thuhet se inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njohjen reciproke.

“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohje reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, ka thënë Blinken.

Blinken më tej ka shtuar se SHBA-të presin të ndërtojnë një të ardhme edhe më të ndritshme së bashku si partnerë në Evropë dhe në skenën globale.

Lexo po ashtu Biden e uron Vuçiqin për Ditën e Shtetësisë - presidenti amerikan i kërkon njohjen e Kosovës

Ndryshe ditë më parë edhe presidenti amerikan Joe Biden përmes një letre dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i kishte kërkuar këtij të fundit normalizim të marrëdhënieve ndërmjet
Kosovës dhe Serbisë, e cila do të bazohej edhe në njohjen reciproke.

“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi i normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili, siç e dini, besoj se duhet të bazohet në njohjen reciproke. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin në punën me mirëbesim për të arritur këtë qëllim”, kishte shkruar Biden në letrën e tij. /Telegrafi/