Site icon Telegrafi

Pas Bajram Hasanit edhe dy dorëheqje tjera nga Nisma në Gjilan

Nismën Socialdemokrate e kanë braktisur sot edhe dy anëtarët e kryesisë së Degës në Gjilan, Fatmir Daku dhe Ridvan Xhemajli.

Dorëheqja e tyre vjen pas largimit të ish-ministrit të Tregtisë, Bajram Hasani. Kështu ka bërë të ditur Fatmir Daku, përmes një shkrimi të bërë në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Telegrafi.

Ai ka pohuar se gjatë kohës sa kanë qenë pjesë e Nismës, janë përpjekur me tërë kapacitetin që subjektin e tyre ta shtrijnë në çdo lagje e fshat të Gjilanit.

Shkrimi i plotë:

“Të dashur miq,

Dua të ju njoftoj se nga sot unë Fatmir Daku dhe Ridvan Xhemajli – ish komandant i Stacionit Policor të Gjilanit nuk do të jemi më pjesë e strukturave të NISMA Socialdemokrate.

Ne si anëtarë të Kryesisë së Degës së Gjilanit dhe të Këshilli Kombëtar do ta pushojmë aktivitetin në këtë parti.

Sot po dalim ballëhapur nga NISMA. Prej themelimit të NISMA’s kemi qenë pjesë aktive e saj. Gjatë kësaj kohe jemi përpjekur që me tërë kapacitetin të shtrijmë në çdo lagje e fshat të Gjilanit subjektin.

Zhvillimet e fundit në këtë subjekt në rajonin tonë, dorëheqja e ish ministrit Bajram Hasani e të tjerëve janë arsyeja e dorëheqjes.

Duam t’i falënderojmë drejtuesit e partisë, aktivistët dhe të gjithë ata me të cilët e kaluam këtë rrugë të gjatë, plot sfida por në të njejtën kohë ishte edhe kënaqësi të punosh me një ekip kaq të mirë.

Faleminderit për mbështetjen”.

Nga Nisma Socialdemokrate, ditë më parë është larguar edhe ish-ministri i Tregtisë, Bajram Hasani.

Lexo po ashtu Ish-ministri i MTI-së Bajram Hasani, jep dorëheqje nga NISMA

Ai ka thënë se do të jetë pjesë e politikës, por që nuk ka dhënë detaje se cilës parti do t’i bashkohet. /Telegrafi/

 

Exit mobile version