Autoritetet shëndetësore evropiane duhet të jenë të gatshme për të trajtuar Coronavirus-in nëse arrin në Kontinentin e Vjetër.
Ky është mesazhi që sjell kreu i një agjencie të lartë shëndetësore për Euronews të martën, pasi numri i viktimave nga virusi vdekjeprurës u rrit në Kinë, përcjell Telegrafi.
Gjashtë njerëz tani dihet se kanë vdekur nga virusi i frymëmarrjes në Kinë, konfirmuan autoritetet të martën, një ditë pasi njoftuan se sëmundja mund të transmetohej nga njeriu në njeri.
Veç tyre, më shumë se 300 njerëz janë infektuar me raste të raportuara gjithashtu në Japoni, Kore të Jugut dhe Tajlandë.
Por, rasti i parë i virusit vdekjeprurës tanimë të përhapur në Azi është zbuluar edhe në Shtetet e Bashkuara.
Qendra e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve pritet të njoftojnë se virusi i ngjashëm me gripin është raportuar në shtetin Uashington, raportoi CNN, duke cituar një burim federal jashtë agjencisë të cilin e përshkroi si të përfshirë në këtë çështje, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) të hënën e konsideroi mundësinë e futjes së virusit në BE si “të ulët”.
Megjithatë, ka paralajmëruar se rreziku i mbërritjes do të rritet në fund të janarit pasi njerëzit udhëtojnë prej dhe në drejtim të Kinës, për festat e Vitit të Ri Kinez.
Platforma për Gatishmërinë Evropiane Kundër (Ri)shfaqjes së Epidemisë (PREPARE), një projekt i financuar nga BE që synon të përgjigjet me shpejtësi ndaj shpërthimeve, aktivizoi Mënyrën 1 të saj të martën në mëngjes.
“Ne konsiderojmë se ekziston një kërcënim i besueshëm për një pandemi edhe në Evropë”, ka thënë për Euronews, Herman Goossens, koordinatori i PREPARE dhe Drejtor i Patologjisë Klinike në Spitalin Universitar të Antwerp.
“Mënyra 1” përfshin përgatitjen e vendeve klinike dhe laboratorëve të diagnostikimit të gatshëm për t’u marrë me raste në tokën evropiane, por gjithashtu edhe konsultimi me studiues nga institucione të ndryshme, për të diskutuar çështjet e hulumtimit – përfshirë strategjitë më të mira të trajtimit për pacientët.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, e cila paralajmëroi një takim urgjent në shpërthimin që do të mbahet të mërkurën, shenjat e zakonshme të infeksionit përfshijnë simptoma të frymëmarrjes, ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje me pneumoni, sindromë të rëndë akute të frymëmarrjes dhe dështim të veshkave ndër simptomat më të rënda.
Por, në kundërshtim me pandemitë e mëparshme, përgjigja ndërkombëtare deri më tani ka qenë “shumë e shpejtë”, ka vlerësuar Herman Goossens.
“Tani, për fat të mirë, ne e dimë sekuencën – Kinezët e lëshuan atë informacion 10 ditë më parë – dhe një test është vërtetuar nga studiuesit evropianë”, ka bërë të ditur ai.
“Të dhënat e sekuencave u lëshuan shumë shpejt, testi i diagnostikimit u zhvillua shumë shpejt dhe ne po diskutojmë tashmë protokollin klinik. Unë kurrë nuk kam parë këtë lloj përgjigje në epidemitë ose pandemitë e mëparshme”, ka shtuar Goossens.
Por a është e gatshme BE për t’u marrë me një shpërthim të mundshëm?
Sipas Goossens, pavarësisht nëse është apo jo, ajo duhet të jetë – sidomos para fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit, kur rastet ka më shumë të ngjarë të raportohen.
Situata e laboratorëve mbështetës të diagnostikimit do të jetë kritike, vlerëson ai, pasi sezoni i dimrit gjithashtu mund të sjellë kulmin në rastet e gripit, të cilat mund të bëjnë që njerëzit e shqetësuar të nxitojnë te mjekët e tyre dhe të kërkojnë të testohen për virusin.
Ndryshe, tanimë në Kinë, maska për fytyrën po shiten shpejt, ndërsa kontrollet e temperaturës po bëhen edhe në aeroporte.
Diku tjetër, për shembull Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe SHBA-ja kanë rritur skanimet nëpër aeroporte.
Në Sidnej, pasagjerët në bord të tre fluturimeve të drejtpërdrejta javore në Wuhan, qyteti kinez në zemër të shpërthimit, do të takohen nga stafi i sigurisë kufitare dhe biosiguria për vlerësime, u tha gazetarëve shefi mjekësor australian, Brendan Murphy.
Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit përtej Azisë, OBSH rekomandon që njerëzit që udhëtojnë në Kinë për festimet e ardhshme të shmangin kontaktin e ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes, si dhe me ferma, të vdekur ose kafshë të egra – duke mos lënë anash larjen e shpeshtë të duarve. /Telegrafi/