Site icon Telegrafi

Pas arrestimit të Naim Murselit, familja e tij anulon të pamën për Liridonën e vrarë

Familja Murseli ka anuluar të pamën për Liridona Murselin, 30-vjeçarja e cila u vra të mërkurën në Prishtinë e për vrasjen e së cilës të premten u arrestua si i dyshuar bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Babai i këtij të fundit, Shaban Murseli, ka njoftuar se e pamja është anuluar “për shkaqe familjare”.

“Shokë dhe miq, për shkaqe familjare me keqardhje e bëjmë anulimin e të pamës. I falënderojmë gjithë pjesëmarrësit në varrim”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar për arrestimin e dy të dyshuarve për vrasjen e Liridona Murselit, bashkëshortin e viktimës – Naim Murseli dhe dorasin e saj G.P (Granit Plava).

Sipas njoftimit, Prokuroria në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Sipas Prokurorisë, aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.

Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast, thuhet në njoftim.

Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se autori, që dyshohet se ka kryer vrasjen, e ka pranuar në Polici veprën dhe ka thënë se është paguar nga Naim Murseli për të kryer krimin

Exit mobile version