Policia e Kosovës ka njoftuar sonte se në tri rajone, ka arrestuar tetë persona nën dyshimin e bazuar të kryerjes së veprave penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.
Lidhur me këtë ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili përmes një postimi në facebook, ka thënë se “për tre ditë në lokacione të ndryshme janë arrestuar dhjetë persona që merreshin me fajde”.
“Në Republikën e Kosovës më nuk ka vend për veprimtari të tilla kriminale dhe për këtë jemi të vendosur”.
“Fajden e haraçin do ta zhdukim, Kosova do të jetë vend i sigurt”, ka shkuar Sveçla, transmeton Telegrafi.
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), ka njoftuar sot se në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe gjykatën përkatëse, pas hetimeve intensive të kryera ndaj të dyshuarave të përfshirë në veprat penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, më 15.09.2021, 16.09.2021 dhe 17.09.2021 në tre raste të ndara, në tri rajone Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ka realizuar operacione policore ku janë arrestuar në flagrancë tetë të dyshuar.
Sipas Policisë, gjatë operacioneve janë sekuestruar 44,150 euro para kesh, në llogaritë e të dyshuarave janë ngrirë mbi 61,000 euro, dy revole, një pushkë e gjuetisë, 106 fishekë (kalibra të ndryshëm), tri vetura, fletore dhe dokumente të ndryshme relevante për rastet dhe shtatë telefona. /Telegrafi/