Telegrafi

Pas arrestimeve në Ministrinë e Bujqësisë, Selimi: Krenar me Prokurorinë dhe Policinë

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, ka reaguar pas arrestimeve të sotme lidhur me keqpërdorimet me subvencionet bujqësore.

Selimi ka ofruar përkrahje për aksione të tilla duke thënë se ndihet krenar me Prokurorinë e Policinë.

“Aksioni i sotëm i organeve të rendit në Ministrinë e Bujqësisë dëshmon që Republika e Kosovës ka prokurorë profesionalë dhe të zotë që me seriozitet të lartë po e luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Përkrahje pa fund për guximin dhe përkushtimin për sundim të ligjit. Krenar me Prokurorinë dhe Policinë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Nazim Sahiti në një konferencë për media ka thënë se vlera e shumës së parave të sekuestruara gjatë aksionit të policisë është rreth 400 mijë euro.

Ai tha se është bastisur Ministria e Bujqësisë ku në kuadër të saj është Agjencioni i Pavarur për Zhvillim të Bujqësisë si dhe disa zyra që funksionojnë në kuadër të AZHB-së në disa komuna. /Telegrafi/