Kreu i PDK-së Memli Krasniqi, ka falënderuar SHBA-në për ndihmën e radhës me vaksina anti-COVID.
Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka përsëritur thirrjen ndaj Qeverisë që të angazhojë të gjitha kapacitetet shtetërore për një vaksinim masiv, me qendra të reja vaksinimi në të gjithë territorin e Kosovës, në mënyrë që të ndalet hovi i kobshëm i pandemisë.
“Mirënjohje dhe falënderim të thellë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmën e radhës me vaksina, të cilat vijnë në një periudhë tragjike që po kalon vendi ynë tash e disa ditë nga numri i madh i vdekjeve dhe rasteve aktive me Covid-19”, tha Krasniqi.
Tutje u shpreh se Qeveria duhet të ofrojë plan konkret dhe të duhur për t’i dalë në ndihmë qytetarëve që po vuajnë pasoja të rënda nga pandemia.
“Ashtu siç kemi bërë tash e sa javë, i bëjmë sërish thirrje qeverisë që të angazhojë të gjitha kapacitetet shtetërore për një vaksinim masiv, me qendra të reja vaksinimi në të gjithë territorin e Kosovës, në mënyrë që të ndalet hovi i kobshëm i pandemisë”.
“Krahas kësaj, Qeveria duhet të ofrojë një plan të duhur e të shpejtë për ndihmë financiare ndaj qytetarëve që po vuajnë pasoja të rënda nga pandemia, jo vetëm shëndetësore, por edhe ekonomike”, shkroi Krasniqi.
Ndryshe, të hënën Kosova ka pranuar 556.920 doza të vaksinës Pfizer kundër koronavirusit, të cilat në Kosovë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX – ndërsa 53.820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër COVID-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer.
Departamenti i Shtetit në SHBA tha se kjo sasi e vaksinave do t’ia mundësojë Kosovës të mbrojë qytetarët e saj më shpejt./Telegrafi.