Prodhuesi koreano-jugor i elektronikës Samsung, kishte paralajmëruar se të ardhurat për tre mujorin e katërt të vitit 2018 do të shënonin një rënie të ndjeshme.
Samsung ka pasur të drejtë për shkak të rënies së kërkesës për çipet e kujtesës, një prej bizneseve më fitimprurëse të kompanisë në vitet e fundit.
Për tre mujorin e katërt 2018, kompania ka shënuar 53.4 miliardë dollarë të ardhura, një rënie me 10 për qind krahasuar me një vit më parë dhe fitimi prej 9.7 miliardë dollarësh përllogaritet të ketë rënë gjithashtu me 29 për qind, përcjell Telegrafi.
Biznesi i kujtesës i njohur si NAND dhe DRAM, padyshim është ndikuar edhe nga rënia e shitjeve të telefonave të mençur. Ky trend sipas kompanisë do të ndikojë edhe në biznesin e ekraneve për tre mujorin e parë të vitit 2019.
Divizioni i telefonave të mençur tashmë vuan nga një rënie e fitimit dhe nuk ka për të ndryshuar shpejtë situata, pasi gjiganti korean shpreson që Galaxy S10 që do të prezantohet muajin e ardhshëm ku do të bëjë diferencën.
Rëniet e të ardhurave dhe fitimit do të vijojnë, ndërsa Samsung i trembet kërkesës së dobët për çipat e kujtesës. Mirëpo, performanca e tre mujorit të katërt të vitit 2018 nuk ndikoi në atë vjetor ku kompania gjeneroi 220 miliardë dollarë të ardhura dhe 53 miliardë dollarë fitim duke vendosur një rekord të ri. /Telegrafi/