Telegrafi

Pas ankesave të qytetarëve, Rama paralajmëron ndryshimin e rregullores së ‘Prishtina Parking’

Foto: Ilustrim

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot ka zhvilluar takim me anëtarët e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

Ndër të tjera është diskutuar për shërbimet që ofron Ndërmarrja “Prishtina Parking”.

Pas parregullsive në “Prishtina Parking”, Rama paralajmëroi ndryshimin e rregullores aktuale.

“Në takim me Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, temë kryesore e diskutimit ishin shërbimet që ofron Ndërmarrja “Prishtina Parking”.”, ka thënë ai.

“Jemi vënë në dijeni për parregullsitë që janë evidentuar nga qytetarët e Prishtinës, të cilët kanë paraqitur ankesa të shumta. Pikërisht për këtë arsye, i ftuam anëtarët e këtij komisioni që të jenë pjesë e grupit punues i cili do të formohet për të plotësuar dhe ndryshuar rregulloren e kësaj Ndërmarrjeje, me qëllim të adresimit të pakënaqësive të shprehura”.

Lexo po ashtu Kërkohet të ndërpritet shqiptimi i dënimeve e bllokimi i veturave nga "Prishtina Parking"

“Ne do të jemi gjithmonë në shërbim të qytetarëve!”, ka shkruar Rama.

Ndërkaq, Kryetarja e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli, ka kërkuar të ndërpritet shqiptimi i dënimeve, vendosja e bllokadave, konfiskimi i veturave nga Prishtina Parking dhe pranimi i pagesës së dënimeve me para në dorë pa u definuar saktë kompetencat e Prishtina Parking.

“Prishtina Parking përfiton para nga këto dënime ndërsa transparenca se ku përfundojnë këto para është zero. Ne kërkuam që të pezullohet zgjerimi i Prishtina Parking deri në përmirësimin e mangësive dhe ndryshimin e rregullores”, tha deputetja.

Siç ka thënë, Pacolli ka kërkuar nga Rama që të japë qasje në këto dokumente:

Autorizimin për bllokimin dhe e veturave me të cilin vepron “Prishtina Parking”;

Rregulloret e brendshme të ndërmarrjes;

Të gjitha dokumentet nga Drejtoria e Kadastrit që vërtetojnë të gjitha parcelat për shfrytëzimin e hapësirave nga “Prishtina Parking”;

Dokumentet që definojnë karakterin e rrugës “B”, në veçanti shiritat anësor.

“Kryetari pranoi kërkesat tona dhe na premtoi se shqetësimet e qytetarëve do të adresohen”, shkroi në fund Pacolli. /Telegrafi/