Site icon Telegrafi

Pas 95 vjetëve, KFC zhvendos selinë kryesore nga Kentucky

KFC, rrjeti i restoranteve të shpejta të ushqimit, dikur i njohur si Kentucky Fried Chicken, do të zhvendosë selinë nga Kentucky në Teksas, ka njoftuar korporata multinacionale Yum Brands.

Ky i fundit ka njoftuar se selia e KFC-së do të kalojë nga Louisville në Plano, por KFC do të ruajë disa operacione në Kentucky.

Biznesi i KFC-së ka qenë duke luftuar për vite me radhë, me zinxhirin që së fundi raportoi një rënie prej 5 për qind në shitjet në SHBA në të njëjtin dyqan, pasi rivalët si Popeyes, Wingstop dhe Raising Cane tërheqin më shumë konsumatorë.

Guvernatori i Kentuckyt, Andy Beshear, u shpreh se “jam i zhgënjyer nga kjo vendim dhe mendoj se edhe themeli i kompanisë do të ishte i zhgënjyer”, shkruan cnn.

Gjatë viteve të fundit, shumë kompani janë zhvendosur në Teksas për shkak të taksave më të ulëta dhe kushteve të favorshme për biznes. Vendimi i Yum Brands është pjesë e një plani për të pasur dy seli për markat e saj kryesore. KFC dhe Pizza Hut do të jenë në Plano, ndërsa Taco Bell dhe Habit Burger & Grill do të mbeten në Irvine, Kaliforni.

David Gibbs, drejtori ekzekutiv i Yum Brands, tha se “këto ndryshime na pozicionojnë për rritje të qëndrueshme dhe do të na ndihmojnë të shërbejmë më mirë klientët tanë, punonjësit, përdoruesit e franshizës dhe aksionarët”.

Megjithatë, Beshear nuk e fsheh zhgënjimin e tij. “Emri i kësaj kompanie fillon me Kentucky, dhe ka reklamuar trashëgiminë dhe kulturën e shtetit tonë në shitjen e produkteve të saj”, theksoi ai.

Historia e KFC-së në Kentucky daton që nga vitet 1930, kur themeluesi i tij, kolonel Harland Sanders, filloi të shiste pulë të skuqur në Corbin. Sot, fytyra e Sanders është në vitrinat e më shumë se 24 mijë restoranteve KFC në më shumë se 145 shtete dhe territore në mbarë botën.

Pas pandemisë, shumë kompani amerikane kanë zhvendosur selitë e tyre. Sipas një raporti nga kompania e shërbimeve të pasurive të patundshme CBRE, Austin dhe qytete të tjera të Teksasit kanë qenë veçanërisht të suksesshme falë mjedisit të biznesit në Teksas. /Telegrafi/

Exit mobile version