Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka bërë thirrje që të mbahet distanca dhe qytetarët të vazhdojnë të përdorin maskat dhe dorëzat mbrojtëse.
Këtë thirrje e bëri, pasi u konfirmuan edhe 8 raste të reja pozitive me COVID-19 në fshatin Milloshevë.
Gashi tha se duhet të shtohet kujdesi në mënyrë që të dalim fitues në betejën me COVID-19.
“Sot, në laboratorin e IKSHPK-së, është testuar lista e personave të kontaktit nga të infektuarit në fshatin Milloshevë dhe nga rezultatet e dalura kemi 8 raste të reja pozitiv me Covid-19, raste kontakti me familjarët e tyre, të cilët janë në vetizolim. Ju lutem respektoni rekomandimet e dalura nga IKSHPK-ja, mbani distancën 2 metra, vendosja e maskave të jetë rutinë e përditshmërisë tonë! Të shtojmë me shumë kujdesin, në mënyrë që të dalim fitues të kësaj beteje me Covid-19”, shkruan Gashi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se nga 280 mostra të testuara sot, 29 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 në Kosovë, kurse një person është shëruar.
Ndërkaq, 8 mostra pozitive me COVID-19 janë ng komuna e Obiliqit, saktësisht nga fshati Milloshevë. /Telegrafi/