Site icon Telegrafi

Pas 76 ditësh izolimi total, rihapet Wuhani – vendi ku kishte shpërthyer coronavirusi

Autoritet kineze kanë çbllokuar daljen nga qyteti Wuhan ku kishte shpërthyer epidemia e coronavirusit, duke bërë që për 76 ditë të izolohet plotësisht nga bota e jashtme.

Sot autoritetet kanë hapur rrugët që qojnë në këtë qytet duke lejuar qytetarët të largohen me vetura dhe të vizitojnë miqtë dhe familjarët, transmeton Telegrafi.

Që nga 23 janari, Wuani praktikisht ka qenë i izoluar nga bota e jashtme për shkak të epidemisë. Trafiku në qytet ishte ndalur plotësisht përfshirë metronë, autobusët dhe tragetet.

Autobusëve dhe anijeve nuk i është lejuar hyrja në qytet, nuk kanë punuar as aeroportet e stacionet e trenave, kurse banorëve u ishte ndaluar të largohen pa pasur leje të veçantë.

Nga 28 marsi në Wuhan sërish ishte aktivizuar linja hekurudhore për hyrje në qytet, kurse nga sot është hapur edhe për dalje nga qyteti e pjesërisht do të rifillojë punën edhe trafiku ajror.

Autoritetet lokale në provincën Hubei kanë bërë të ditur se karantinimi është hequr nga sot, ku qytetarët do të mund të largohen nga Wuhani me kushtin e vetëm – të jenë të shëndetshëm dhe të mos paraqesin rrezik për të tjerët. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version