Telegrafi

Pas 46 vjetëve, dokumentari për Aretha Franklinin do të shfaqet në New York

Aretha Franklin (Foto: Getty Images)

Pas më shumë se 46 vitesh nga xhirimi, më në fund dokumentari “Amazing Grace” i Aretha Franklinit do të ketë premierë në New York, duke i dhënë fund një sage të gjatë ligjore.

Filmi u xhirua nga regjisori Sydney Pollak në vitin 1972, por mbeti për dekada pa marrë formën finale.

Tashmë dokumentari me të njëjtin titull me albumin e famshëm, të Franklinit, do të ketë debutimin e tij final në festivalin e filmit DOC NYC më 12 nëntor.

Dokumentari u xhirua për vetëm dy net në Kishën Baptiste në Los Angeles, kur Franklini regjistroi albumin e saj, “Amazing Grace”. Problemet lindën që në nisjen, pasi redaktimi rezultoi thuajse i pamundur pasi regjisori nuk arriti të sinkronizonte zërin. Vetëm në vitin 2007 producenti Alan Elliott arriti të merrte të drejtat e transmetimit ndërsa formoi një ekip, që ia doli të ndërtonte dokumentarin i cili përfundoi në vitin 2011.

Franklini dhe avokatët e saj bllokuan transmetimin. Padia u ngrit me argumentin se Elliott nuk kishte marrë lejen e saj. Pas vdekjes së Franklinit, familjarët u shprehën të hapur për të parë dokumentarin.

“‘Amazing Grace’ është zemra dhe shpirti i Aretha Franklin”, deklaroi mbesa e këngëtares Sabrina Owens, duke shtuar se adhuruesit e saj duhet ta shohin këtë dokumentar që është aq i pastër dhe i gëzueshëm.

Filmi i gjatë 87 minuta, do të shfaqet në Los Angeles dhe New York për një javë këtë vit.

Aretha Franklin fitoi 18 çmime Grammy dhe kryesoi në 17 Top Ten US për gjatë karrierës së saj muzikore që përfshiu rreth 7 dekada. /ata/