Telegrafi

Pas 40 vjetësh Irani lejon gratë të luajnë në kualifikimet për botëror

Gratë do të lejohen të marrin pjesë në kualifikimet e Kupës së Botës për herë të parë pas 40 vjetësh në Iran, tha sot një zyrtar i Ministrisë së Sportit.

“Gratë do të jenë në gjendje të marrin pjesë në ndeshjen kualifikuese kundër Kamboxhias në stadiumin ‘Asadi’ më 10 tetor”, tha zëvendësministri i Sportit Jamshid Tagizadeheh për Agjencinë e lajmeve IRNA.

Ai shtoi se “kushtet” ishin përmbushur dhe Irani do t’i tregonte botës se gratë në atë vend nuk janë të diskriminuara.

Gratë në Iran janë ndaluar të hyjnë në stadiume që nga viti 1981, menjëherë pas Revolucionit Islamik të 1979, transmeton KosovaPress.

Në atë kohë, klerikët ultra-konservatorë e justifikuan këtë duke deklaruar se ato nuk duhet të ekspozohen ndaj brohoritjeve të tifozëve meshkuj ose komenteve të tyre ‘të mërzitshme’.

FIFA mund të sanksionojë Federatën e Futbollit të Iranit nëse gratë mbeten të përjashtuara nga këto ngjarje sportive. Pezullimi do të thoshte që Irani mund të mos jetë në gjendje të marrë pjesë në Botërorin e futbollit 2022.

Vitin e kaluar, gratë u lejuan të merrnin pjesë në ndeshjet e finales aziatike të Ligës së Kampionëve në Iran, por nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë në një miqësore ndërkombëtare kundër Sirisë. /kp/Telegrafi/