Miliona banorë të Melbourne të Australisë, po bëhen gati të dalin nga izolimi më i gjatë në botë si pasojë e pandemisë së coronavirusit.
Qytetarët e Melbourne gjatë pandemisë kanë kaluar nëpër gjashtë izolime – përkatësisht i kanë kaluar 265 ditë të mbyllur, me qëllim që të parandalohet përhapja e shpejtë e variantit Delta, transmeton Telegrafi.
Siç raporton Reuters, pabet, restorantet dhe kafiteritë janë duke u furnizuar para se të hapin dyert e tyre për klientët.
Nga fillimi i gushtit, banorët e qytetit të dytë më të madh të Australisë janë në izolim – gjë që i detyroi t’i nënshtrohen për të gjashtën herë mbylljes për ta vënë nën kontroll situatën epidemiologjike nga varianti Delta i COVID-19.
Zyrtarët kanë premtuar shfuqizimin e masave parandaluese, pasi që vaksinimi me dy dozat i personave mbi 16-vjeç ka shkuar në mbi 70 për qind në shtetin Victoria.
Kryeministri Scott Morrison të mërkurën konfirmoi se ky shtet ka arritur qëllimin, madje ka vende ku përqindja e të vaksinuarve ka shkuar në 80 dhe 90 për qind.
Nga ora 23:59 të gjitha pabet dhe kafiteritë do të mund të pranojnë deri në 20 mysafirë në ambient të hapur, e 50 mund të qëndrojnë në ambient të hapur nëse janë vaksinuar me dy dozat, derisa frizerët mund të pranojnë deri në pesë klientë. Maskat akoma do të jenë të obligueshme si në ambient të mbyllur ashtu dhe në atë të hapur. /Telegrafi/