Prokuroria e Mitrovicës i është vënë pas një vrasje e cila kishte ndodhur 26 vite më parë në Skenderaj.
Atëkohë në pazarin e Skenderajt një burrë ishte prerë në fyt nga një person i cili, që nga ajo kohë ishte i pakapshëm për organet e rendit.
Dhe siç shkruan kallxo.com, 26 vite më vonë prokuroria ka arrestuar E.S., personin që pretendohet se është dorasi i kësaj vrasjeje.
Ai dyshohet se për çështje të moralit për shkak se siç thuhet në dosje viktima ia kishte marrë motrën 13 vjeç të dyshuarit.
Po ky medium shkruan se ka siguruar dosjen e gjykatës për rastin ku ndër të tjera shkruhet se E.S. pas ngjarjes e kishte ndërruar emrin dhe kishte jetuar për 18 vite në Gjermani.
Dosja sqaron se i pandehuri kishte shkuar nga mbrapa shpinës dhe ia kishte prerë pjesët më vitale të fytit, tani të ndjerit S.B, dhe kishte ikur me shpejtësi.
Ndërsa nga raporti policor i datës 22 janar 2019 thuhet se i dyshuari ishte arrestuar, kishte treguar emrin e tij të mëparshëm, duke shpjeguar se më vonë e kishte ndërruar në E.S dhe kishte qëndruar në Gjermani për 18 vite. Dosja sqaron edhe pretendimet e të pandehurit i cili ka thënë se vrasjen e kishte kryer për moral.
“Ma ka marr motrën 13 vjet herën e parë e herën e dytë ma ka marr krejt dhe më ka nënçmuar“, thuhet në dosje.
Rasti ka nisur të trajtohet para disa ditësh ndërsa së fundmi Gjykata e Mitrovicës pas kërkesës së prokurorit Ismet Ujkani ka caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarin.