Site icon Telegrafi

Pas 17 vitesh merr fund Calciopoli, Juventusi befasoi të gjithë me vendimin

Pas 17 vitesh ka marrë fund përfundimisht skandali më i famshëm në futboll i njohur si Calciopoli. Juventusi hoqi dorë nga shkalla e fundit, e cila çoi në pezullimin e procesit të ankimimit.

Kjo ishte një lëvizje krejtësisht befasuese e “Zonjës së Vjetër”, e cila prej vitesh ishte e përfshirë në një betejë ligjore për të “pastruar” emrin e tyre nga skandali në të cilin iu hoqën dy tituj dhe përfundimisht ranë në Serie B në vitin 2006.

Siç raporton Corriere dello Sport, Juventus ka hequr dorë nga ankesa në Këshillin e Shtetit, gjykatën më të lartë administrative, kundër Federatës Italiane të Futbollit dhe Interit, të cilët përfituan më së shumti nga përjashtimi i Juventusit.

Tifozët e Juventusit kanë shpresuar prej kohësh që një vendim i vitit 2016 që refuzonte apelin e Juventusit për “dëm të padrejtë” që rrjedh nga vendimi për t’i dhënë Scudetton Interit në vitin 2005, mund të anulohej.

Në atë kohë, Juventusi kërkonte miliona euro dëmshpërblim për të kompensuar humbjet ekonomike dhe gjithashtu kërkuan që t’i anulohej titulli Interit.

Në fund, për zhgënjimin e shumë tifozëve të Juventusit, presidenti Ferrero firmosi tërheqjen e padisë, duke shënuar fundin përfundimtar të Calciopolit./Telegrafi/

Exit mobile version