Ekipet nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur t’i nxjerrin të gjallë edhe dy persona të bllokuar nga gërmadhat në Turqi.
Kështu ka bërë të ditur FSK-ja përmes një postimi në Facebook, ku njoftoi se pas 160 orëve është nxjerr një 50-vjeçar dhe pas 162 orëve, një vajzë 13-vjeçare.
“Pas një pune të palodhshme dhe shumë sfiduese me rrezikshmëri të lartë e me angazhim maksimal, të pathyeshëm dhe të pandalshëm djemtë e vajzat e ushtrisë së Kosovës së bashku me ekipet e ushtrisë turke, sot pas 160 orëve që nga tërmeti, kanë arritur të nxjerrin të gjallë një qytetarë i gjinisë mashkull rreth moshës 45 vjeçare, dhe pas 162 orëve është nxjerr edhe një vajzë 13 vjeçare, nën rrënojat e një objekti të shkatërruar”, njofton FSK.
Në njoftim tutje thuhet se këto ekipe do të vazhdojnë me përpjekjet e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish.
“Edhe pse kanë kaluar shumë orë kërkimi, ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë të motivuar dhe po japin të gjithë energjinë e tyre për të shpëtuar jetët e njerëzve që janë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti”, thuhet tutje në njoftim.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e cilësoi si “lajm të mrekullueshëm” shpëtimin e dy personave nga pjesëtarët e FSK-së në Hataj.
“Shpresojmë se orëve në vijim pjesëtarët tanë të FSK-së të gjejnë edhe të tjerë të mbijetuar nën rrënojat e krijuara pas këtij tërmeti të tmerrshëm”, shkroi ai në Facebook.
Ndryshe, ekipet e shpëtimit në Turqi vazhduan të nxjerrin të mbijetuar nga rrënojat e tërmetit gjashtë ditë pas katastrofës, përfshirë një grua shtatzënë dhe dy fëmijë të vegjël, por numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri ka arritur në mbi 33 mijë.
Ministri i Mjedisit Murat Kurum tha se 24,921 ndërtesa janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmeti në të gjithë rajonin.
Prokurorët shtetërorë në Adana urdhëruan ndalimin e 62 personave në një hetim për ndërtesat e shembura, ndërsa prokurorët kërkuan arrestimin e 33 personave në Dijarbakir për të njëjtën arsye, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.
Agjencia tha se tetë persona ishin arrestuar në Sanliurfa dhe katër në Osmaniye në lidhje me ndërtesat e shkatërruara që besohej se kishin defekte.
Policia arrestoi ndërtuesin e një kompleksi rezidencial që u shemb në Antakya në aeroportin e Stambollit ndërsa po përgatitej të hipte në një avion për në Mal të Zi të premten në mbrëmje. Ai u arrestua zyrtarisht të shtunën./Telegrafi/