Themelimi i Zonës Ekonomike amerikane paraqet një mundësi të shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe shtetit të Iowas, në aspekt të nxitjes së investimeve nga ndërmarrjet amerikane që kanë selinë kryesore në këtë shtet amerikan. Kjo u tha sot gjatë vizitës së Gjeneralit të Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku pati rastin të njoftohet me zhvillimet e fundit në këtë fushë.
Gjenerali Orr u shpreh i inkurajuar nga bashkëpunimi i deritanishëm mes Kosovës dhe shtetit të Iowas si rezultat i partneritetit shtetëror në mes dy vendeve, duke potencuar se ka ende hapsirë të punohet në ndërtimin e urave biznesore mes dy vendeve.
Ai theksoi se delegacioni i Iowa që vizitoi Kosovën gjatë muajit të kaluar ka mbetur i impresionuar me zhvillimet pozitive në Kosovë, gjë që dëshmon se të dyja vendet janë të angazhuara që të ketë përfitime të prekshme nga marrëveshja e partneritetit shtetëror, dhe atë jo vetëm në fushën e bashkëpunimit ushtarak.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, njoftoi gjeneralin Orr për zhvillimet më të fundit në Kosovë në fushën e ekonomisë duke theksuar në veçanti iniciativën për krijimin e zonës ekonomike amerikane, si një mundësi për të nxitur investimet amerikane në vend.
Ai kërkoi bashkëpunimin e gjeneralit Orr që të ndihmojë në njoftimin e kompanive amerikane nga ky shtet për zonën ekonomike amerikane dhe inkurajimin e tyre që të shtrijnë veprimtarinë e tyre në Kosovë. /Telegrafi/