E gjitha filloi në mënyrë krejt të pafajshme. Ti e kishe lënë me ca shoqe për darkë, por para se të dilje, doje të kontrolloje adresën e restorantit. Lëvize mausin, për të ndriçuar ekranin e laptopit të hapur dhe ja ku ishte, duke të parë drejt e në sy: inboksi i partnerit tënd. Ndoshta ti mbylle dritaren dhe vazhdove ditën. Ose ndoshta, nëse je si shumica e njerëzve, u gjende duke klikuar mbi një email dhe para sesa ta kuptoje, u fute në vrimën e miut të përgjimeve.
“Të gjithë e bëjnë,” u përgjigj një kolege kur e bëra pyetjen në zyrë, javën e kaluar. Biseda që vazhdoi ishte nga më të nxehtat që kemi bërë ndonjëherë, ku kushdo tregonte një anekdotë personale ose historinë e “një shoqeje” që në një çast të marrëdhënies kishte përgjuar emailin e tjetrit, shkruan një redaktore e revistës Vogue.
Nuk jemi të vetëm në këtë histori. Sipas një sondazhi të bërë vitin e kaluar nga kompania e programit antivirus Avast, një në pesë meshkuj dhe një në katër femra kontrollonin smartphone-in e gjysmës tjetër. Ndërkohë, një sondazh tjetër nga McAfee gjeti që 49 për qind e njerëzve kontrollonin rregullisht emailin e partnerit.
Në këto kohë, kur kontrolli i Instagram-it dhe Facebook-ut quhet lojë e ndershme, mos është bërë dhe përgjimi i emailit normal?
Për një çift, leximi i emaile-ve të partnerit është pjesë e një çështjeje të heshtur mes të dyve. “Ai më ka dhënë password-in që e përdor për çdo gjë”, thotë ajo. “Jam e sigurt që ai e di që ia kontrolloj të gjitha dhe unë nuk e kam problem që ai kontrollon llogaritë e mia online.”
Një tjetër redaktore pranoi që përgjonte, jo sepse dyshonte te bashkëshorti, por sepse kjo ishte një mënyrë për ta kuptuar atë më mirë. “Ai nuk flet me mua për shumë gjëra. Unë lexoj disa nga emailet e tij për ta kuptuar. Është një përgjim altruist.”
Një pjesë e stafit tonë ishte bindshëm kundër përgjimit dhe shumë nga ata besonin që edhe nëse ke besim te partneri, nëse kontrollon shpesh, do gjesh diçka. “Mikesha ime gjeti një email me një foto që ajo mendonte mos ishte e nipit të të dashurit, prandaj klikoi, por doli që ishte fotoja e unazës së saj të fejesës,” tha një nga gazetaret.
“Pjesa më e keqe e gjithë kësaj ishte që nuk i pëlqeu”. Për muaj të tërë, sa herë që ata dilnin për darkë ose iknin jashtë qytetit, ajo mendonte që ai do i propozonte. Pas tetë muajsh, ai ia tha dhe për fat me një unazë tjetër.
Një tjetër redaktore, kishte zbuluar në mënyrë të ngjashme që i dashuri i saj po bënte planet e propozimit në emaile, por ajo, nuk rrinte dot pa thënë gjë. “Përfundova duke ia thënë në mes të një sherri të madh”, tha ajo. “U ndjeva aq keq sa vendosa të tregohesha e sinqertë.”
Nëse të zbulosh planet e ardhshme për fejesë është e papërshtatshme, të zbulosh diçka të shëmtuar është edhe më keq akoma. Mikja e një prej redaktoreve tona zbuloi që i dashuri i kishte dërguar shoqes së saj, një email me nota negative për atë vetë. Vazhdimisht mendonte t’ia thoshte, por nuk e bëri.
“Thjesht i thashë asaj që nëse ai do shikonte inbox-in tim do gjente shumë emaile dhe biseda në Googlechat rreth tij,” tha ajo.
Sa për artin e përgjimit, kam mësuar që ka disa mundësi për të kontrolluar tjetrin në vend që të kontrollosh emailin e tij. “Shumica e iPad-eve dhe iPhone-eve janë connected, kështu që është e lehtë të shohësh mesazhet e tij nëse ia merr hua një herë iPad-in,” na tha një asistent. Një tjetër nga të rinjtë në staf na dha një tutorial si të përdorim vjedhurazi shërbimet e vendndodhjes së telefonit për të vërtetuar nëse tjetri po tregon apo jo të vërtetën për vendet ku ndodhet!
Ata që kanë qenë në anën tjetër të barazimit, të përgjuarit, nëse do t’i quajmë kështu, janë bërë të ndërgjegjshëm për të ndaluar sytë kureshtarë. Rregullat bazë janë këto: Mos sinkronizo pajisjen tënde elektronike, hiq message preview nga settings e telefonit, mos përdor të njëjtin kod për pajisje të ndryshme dhe asnjëherë mos harro të log out nga llogaritë e tua elektronike.
Por në fund të tryezës së rrumbullakët të diskutimeve, ne ramë dakord si cinikë, që pavarësisht masave që do marrësh, do jetë dikush që do kontrollojë emailin tënd. “Nuk lë asgjë të rëndësishme me shkrim,” tha një nga editoret tona të modës, një mësim që ndoshta duhet ta ndjekim të gjithë pas rrjedhjes së informacionit nga Sony.
“Gjithçka që është në internet, nuk është private” shtoi dikush tjetër. “Ose shpirti yt binjak, ose një hacker koreanoverior, është duke të të lexuar informacionet.” /Telegrafi/